Si përdorim AI-në
Lajmet e Gjurmo-s shkruhen me ndihmën e AI-së, vetëm nga burimet e cituara. Këtu shpjegojmë si punon kjo dhe cilat rregulla e kufizojnë.
Si lind një lajm
- Sistemi ynë lexon raportimet e mediave që ndjekim dhe zgjedh ngjarjet që ia vlejnë.
- AI-ja e shkruan lajmin në shqip vetëm nga këto raportime, pa shtuar fakte nga vetja.
- Para publikimit, lajmi kalon kontrollet automatike të rregullave më poshtë. Lajmi që nuk i kalon nuk publikohet.
- Në fund të lajmit renditen burimet, me lidhje te raportimi origjinal, dhe shënimi „Shkruar me ndihmën e AI, nga burimet e mësipërme.“
Publikimi është automatik: para publikimit, lajmin nuk e lexon një redaktor, por e kontrollojnë rregullat e mëposhtme. Prandaj ato janë të rrepta.
Rregullat e publikimit
- Akuzë vetëm me burim. Kur një lajm thotë se dikush me emër është përfshirë në korrupsion, krim ose abuzim, pretendimi duhet të vijë nga një burim zyrtar (prokurori, gjykatë, polici ose dokument) ose nga të paktën dy media të besueshme. Mjafton edhe një raport i vetëm, kur vjen nga një medium i listës sonë të besuar. Në çdo rast shkruhet „sipas…“.
- Prezumimi i pafajësisë. Shkruajmë „i dyshuar“ ose „i akuzuar“, kurrë „fajtor“ pa një vendim të formës së prerë.
- Asnjë citat i shpikur. Çdo citat kontrollohet nëse ekziston në burim; nëse nuk ekziston, hiqet.
- Viktimat nuk identifikohen në rastet e dhunës, të abuzimit ose kur përfshihen të mitur.
Kontrollojmë edhe gjuhën, përsëritjet dhe ngjashmërinë me tekstin e burimit, që lajmi të mos jetë kopje e tij.
Shkurt
Shkurt janë lajme prej dy-tri fjalish për ngjarjet e mëdha që po ndodhin. Edhe ato i shkruan AI-ja nga raportimet e mediave, me „sipas…“, dhe kalojnë të njëjtat rregulla para se të dalin.
Analizë
Analizat ndahen qartë nga lajmet dhe mbajnë etiketën ANALIZË. Rastin dhe pyetjen i zgjedh redaksia. AI-ja mbledh lajmet përkatëse të 30 ditëve të fundit dhe shkruan draftin; redaksia e lexon, e redakton dhe e publikon.
Në analiza, faktet jepen vetëm me burim. Motivet e fshehta shtrohen si pyetje të argumentuara, jo si fakte të provuara. Versioni zyrtar përmendet gjithmonë, bashkë me arsyet pse dyshohet. Gjuha e urrejtjes nuk lejohet.
Kur gabojmë
Edhe me këto rregulla, mund të gabojmë. Nëse gjeni një gabim, shkruani te [email protected]: lajmin e korrigjojmë, ose e heqim kur shkel rregullat tona. Më shumë te Korrigjime.